Kosova është pranë dështimit dhe shumë e ndarë. Kështu vlerëson diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, që në vitet 1997-99 kishte shërbyer si ambasador i Austrisë në Beograd dhe si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Europian për Kosovën, ku në këtë cilësi kishte vepruar edhe si Kryenegociator i BE-së në bisedimet e paqes në Rambuje.
Petritsch, në një intervistë për Deutsche Welle, ka bërë një analizë të situatës në Ballkan dhe ndër tjerash ka folur edhe për atë se si e sheh ai gjendjen aktuale në Kosovë.
“Kosova është thellësisht e ndarë. Është një shtet i dobët pranë kolapsit – krahasuar me Serbinë që është zhvilluar fuqishëm ekonomikisht, por edhe në fusha të tjera”.
“Prishtina zyrtare e ka të domosdoshme që të krijojë lidhje me komunitetin serb. Marrëveshja për Formimin e Komunave Serbe është nënshkruar vite më parë. Kjo marrëveshje duhet të implementohet. Ky është obligimi i Prishtinës”.
Politikani austriak ka folur edhe për pajtimin finale mes Kosovës e Serbisë. Ai thotë se Bashkimi Europian tani ka një rast historik për të ecur përpara në këtë drejtim për shkak të rrethanave aktuale.
Sipas Petritsch, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, është një politikan realist që i kupton rrethanat, ndërsa ka përmendur edhe faktin që miqësia e tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, është jashtëzakonisht e rëndësishme në zgjidhjen finale të konfliktit shqiptaro-serb.