Komunarët e Podujevës assesi nuk po mund ta finalizojnë një projekt, iniciativa për të cilin ka nisur në vitin 2010. Hapja e zonës industriale në këtë komunë nuk po mund të realizohet, pasi prona në të cilën zyrtarët komunalë e kanë paraparë është shoqërore, shkruan sot Koha Ditore.
Edhe pse Qeveria e Kosovës sivjet ka marrë vendim që pronat e ish-ndërmarrjeve shoqërore të kalojnë në pronësi të komunave, i njëjti vendim është pezulluar pasi presidenti këtë vendim e kishte dërguar në Kushtetuese. Drejtori për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Abaz Llugaliu, nëpërmjet Zyrës për informim, shpreson që vendimi i Qeverisë të mbetet në fuqi.
Ky projekt ishte paraparë të realizohej para shumë vjetësh. Në vitin 2010 Kuvendi Komunal e kishte miratuar vendimin për caktimin e lokacionit, ndërsa një muaj pas, Komuna e Podujevës kishte kërkuar nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit që të mos e privatizonte këtë pjesë. Toka prej 37 hektarësh që e ndan rruga Podujevë-Livadicë (rruga prej Brecalive) e ish-kooperativës bujqësore “Përparimi” nuk është privatizuar, por edhe zona industriale nuk është hapur. Atë e shfrytëzon një person fizik.
Zyrtarët komunalë të Podujevës para më shumë se 1 viti kishin thënë se arsyeja e mosrealizimit të këtij projekti është mungesa e një përgjigjeje nga AKP-ja dhe Qeveria e Kosovës.