Dy kompanitë farmaceutike, Pfizer dhe BioNTech, i kanë paraqitur një kërkesë Rregullatorit Evropian të ilaçeve për miratimin e vaksinës së tyre anti-COVID që të përfshihet edhe te fëmijët 12 deri në 15 vjeç, në një lëvizje që mund t’u ofrojë popullatave më të reja dhe më pak të rrezikuara në Evropë akses për të marrë dozat e para.
Në një deklaratë të premten, të dy farmaceutikët kanë thënë se paraqitja e tyre në Agjencinë Evropiane të Barnave bazohet në një studim të përparuar në më shumë se 2.000 adoleshentë që tregoi se vaksina e tyre ishte e sigurt dhe efektive. Fëmijët do të vazhdojnë të monitorohen për mbrojtje dhe siguri më afatgjatë për dy vjet të tjera.
BioNTech dhe Pfizer më parë kanë kërkuar autorizimin të përdorimit emergjent me Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së për fëmijët 12 deri në 15 vjeç.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, mirëpriti lajmin se vaksina së shpejti mund të marrë dritën jeshile për fëmijët.
Shumica e vaksinave COVID-19 që përdoren në të gjithë botën janë për të rriturit, të cilët janë në rrezik më të madh nga koronavirusi. Por vaksinimi i fëmijëve të të gjitha moshave do të jetë thelbësor për ndalimin e pandemisë, veçanërisht pasi disa hulumtime kanë treguar se fëmijët më të rritur mund të luajnë një rol në përhapjen e virusit.
Imunizimi i fëmijëve kundër COVID-19 mund t’u japë autoriteteve më shumë besim në rihapjen e shkollave, pasi bërja e fëmijëve që të respektojnë distancën fizike dhe mbajtjen e maskave ka qenë ndonjëherë sfiduese.
Prodhues të tjerë të vaksinave COVID-19 përfshirë AstraZeneca, Moderna dhe Johnson & Johnson po studiojnë gjithashtu nëse vaksinat e tyre mund të përdoren në mënyrë të sigurt tek fëmijët.
Vaksina anti-COVID e bërë nga Pfizer dhe BioNTech ishte e para që mori dritën jeshile nga EMA dhjetorin e kaluar, kur u licensua për personat mbi 16 vjeç në të gjithë bllokun e BE-së me 27 kombe.