Phillips: Derisa Serbia të tregojë vullnet, Kurti të mos shkojë në dialog veç për hatër

Prishtinë | 18 Kor 2021 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Qasja e re e kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti në tavolinën e bisedimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq po shihet si e duhura dhe e nevojshmja për Kosovën nga analisti amerikan, David Phillips.

Megjithë këtë ndryshim të rrjedhës së negociatave nga pala kosovare, Phillips nuk sheh marrëveshje që përfundimisht iu jep zgjidhje konflikteve mes kosovarëve dhe serbëve në një të ardhme të afërt. Por, për mossuksesin e tentativave për pajtim, ai gjen fajtore Serbinë dhe personalisht presidentin Vuçiq.

Në një intervistë për portalin Klankosova.tv, profesori Phillips thotë se Kosova s’ka nevojë të nënshkruajë një marrëveshje që është në dëm të saj vetëm për hatrin e dialogut.

“Siç ka treguar Kurti, Kosova ka problemet urgjente: vendet e punës, drejtësia dhe pandemia COVID-19. Kosova tashmë është vend i pavarur dhe nuk ka nevojë që të negociohet statusi i saj. Detajet për një njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohen. Derisa Serbia të tregojë vullnetin e mirë, kryeministri Kurti duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos marrë pjesë në bisedime thjesht për hir të dialogut”.

Për procesin njëdekadësh të dialogut, Phillips, i cili është edhe drejtor në Institutin e Paqes në Universitetin e Columbias në New York, pajtohet se bisedat janë më të mira sesa konfrontimet, por se atyre iu duhen ca rezultate.

Për të arritur deri aty, analisti amerikan thotë se duhet të përfshihet më direkt shteti i tij, SHBA, duke emëruar një emisar presidencial që do të plotësojë emisarin europian, Lajçak, në përpjekjet e tij.

Dhe involvimi i SHBA-së s’duhet të jetë vetëm emërimi i një emisari, por të ketë edhe njëfarë roli ndëshkues bashkë me BE-në për palën që nuk zbaton marrëveshje dhe pengon progresin në rrugën drejt gjetjes së paqes.

“Një marrëveshje përfundimtare mund të ndodhë vetëm kur Vuçiq të kuptojë çmimin që do të paguajë për pengesat. Duhet të ketë një kosto për Vuçiqin personalisht nëse ai vazhdon të mohojë realitetin dhe të pengojë progresin”.

INTERVISTA E PLOTË:

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po rifillon. Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky proces s’është vazhdimësi i atij që ishte deri tash. A mendoni se Kosova duhet të ndryshojë rrënjësisht qasjen në dialogun me Serbinë?

David Phillips: Dialogu ka vazhduar për një dekadë. Të bisedosh është më mirë sesa të konfrontohesh, por bisedimet kanë nevojë për ca rezultate. Ka qenë në rregull fokusi në targat, diplomat, prefiksi, etj dhe BE-ja duhet të rishikojë detajisht implementimin e 33 marrëveshjeve ekzistuese. Sidoqoftë, qëllimet e negociatave kurrë s’u caktuan. Palët duhet të pajtohet që pavarësia dhe sovraniteti janë qëllime të negociatave. Ka ardhur koha që duhet fokusuar në çështje thelbësore dhe jo në ndërmarrjen e masave për ndërtimin e besimit.

Cili duhet të jetë pozicioni i Kosovës në tavolinën e bisedimeve?

David Phillips: Siç ka treguar Kurti, Kosova ka problemet urgjente: vendet e punës, drejtësia dhe pandemia COVID-19. Kosova tashmë është vend i pavarur dhe nuk ka nevojë që të negociohet statusi i saj. Detajet për një njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohen. Por, derisa Serbia të tregojë vullnetin e mirë, kryeministri Kurti duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos marrë pjesë në bisedime thjesht për hir të dialogut. Kjo s’do të thotë bojkotim i bisedimeve, të cilat do të përdoren nga Serbia për të diskredituar Kosovën”.

Në takimin e parë njoftues që pati me presidentin Vucic, Kurti shkoi me katër propozime të reja. Si i patë ato?

David Phillips: Personat e zhdukur: Informacioni dhe gjetja e mbetjeve mortore janë thelbësore për të vazhduar përpara. Marrja e përgjegjësisë dhe kompensimi gjithashtu janë të nevojshme. Kryerësit e krimeve nuk kanë vend në tryezën e negociatave. Veljko Odaloviq dhe Zoran Andjelkoviq duhet të jenë në gjyq për dyshimet për krime e jo në takimet e Brukselit.

Tregtia: Bashkëpunimi ekonomik krijon bazën për ndërtimin e paqes dhe pajtimin për një periudhë afatgjate. Për të optimizuar përfitimet pozitive, marrëveshjet tregtare dhe zhvillimet në infrastrukturë nuk mund të jenë të njëanshme. Të dyja palët duhet të përfitojnë në mënyrë substanciale.

Pakti për paqe: Një marrëveshje zyrtare do të jepte një shenjë të qartë se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes negociatave dhe jo konflikteve të dhunshme.

Reciprociteti: Serbia duhet të mbrojë dhe promovojë të drejtat e pakicës së saj shqiptare barabartë me dispozitat për të drejtat e pakicave që ekzistojnë në Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Ahtisaarit. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është i tepërt dhe nuk duhet të jetë fokusi i negociatave. Nevojitet një mekanizëm institucional për të monitoruar dhe zbatuar marrëveshjet e të drejtave për serbët e Kosovës, si dhe shqiptarët në Serbi.

Kurti para eurodeputetëve ka thënë se mungojnë autorët e dokumenteve që do të sillnin ide për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se BE duhet të ofrojë një zgjidhje konkrete për palët?

David Phillips: Serbia nuk do të njohë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës nëse nuk i bëhet presion. Në vend të negociatave të pafundme që nuk të çojnë askund, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të përcaktojnë detajet e një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare, më pas t’ia paraqesin atë të dyja palëve. Bashkëpunimi do të shpërblehet dhe pengesat do të ndëshkohen.

Cili duhet të jetë roli i SHBA-së në këtë proces të rinisur?

David Phillips: Bashkëpunimi transatlantik do të rrisë perspektivat për sukses. Për të përmirësuar arkitekturën e negociatave, SHBA duhet të përmirësojë diplomacinë e saj duke caktuar një të Dërguar të Posaçëm Presidencial për të plotësuar punën e Miroslav Lajçak. Pa angazhim më të fuqishëm të SHBA-së, s’ka gjasa që negociatat do të arrijnë diçka.

Sipas qëndrimeve të bëra publike edhe Kurti edhe Vuçiq kanë qëndrime shumë të kundërta. A mendoni se marrëveshja që do të sillte pajtimin përfundimtar mes kosovarëve dhe serbëve është afër?

David Phillips: Një marrëveshje përfundimtare mund të ndodhë vetëm kur Vuçiq do të kuptojë çmimin që do të paguajë për pengesat. Përtej kapitullit 35, i cili kushtëzon pranimin e Serbisë në BE me marrëdhëniet për fqinjësi të mirë, duhet të ketë një kosto për Vuçiqin personalisht nëse ai vazhdon të mohojë realitetin dhe të pengojë progresin. Ka dyshime se ai dhe vëllai i tij kanë pasuri të konsiderueshme të marra në mënyrë të pandershme nga bankat e huaja. Këto asete duhet t’i ngrihen derisa Vuçiq të pranojë të bashkëpunojë”.

Të ngjashme