Profesori nga Universiteti Columbia në New York, David Phillips, në një debat në Parlamentin Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të organizuar nga deputetja Sana Gomes, ka kërkuar fuqizim të pranisë ndërkombëtare në këtë dialog, shkruan sot Koha Ditore.
Ai ka shprehur mendimin se duhet ndryshim i formës në bisedime dhe përfshirje më e fuqishme amerikane në të.
Phillips ka propozuar një lloj “grupi të kontaktit”, por vetëm të shteteve që kanë interes pozitiv në këtë çështje, e jo të vendeve si Rusia, e cila vetëm ka interes ta shfrytëzojë për nevoja të veta dhe të pengojë Kosovën.
Sipas idesë së tij, edhe Washingtoni do të duhej të kishte një të dërguar të posaçëm për këtë dialog, ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri Frederika Mogherini do ta luajë vetëm rolin e kryesueses në një dialog të tillë, në të cilin në tryezë do të ishin edhe amerikanët.