Në qoftë se UÇK-ja ishte projekti më i suksesshëm i shqiptarëve në fundshekullin XX, dhe në qoftë se Ushtria e Kosovës sot është rezultat i saj, i gjakut të dëshmorëve dhe i sakrificës së popullit ndër breza, atëherë si ka mundësi që një i deportuar i elitës së djeshme, të vazhdojë të jetë i mohuar edhe sot?
Më 7 korrik 1991 ka nisur historia e Ushtrisë së Kosovës. Atë ditë, në fshatin ish Bellacerkë, tani Fortesë të Rahovecit, mijëra njerëz nga shumë anë ishin mbledhur t’i jepnin lamtumirën bashkëvendasit tim, Elmi Popaj, i vrarë në Armatën Jugosllave, si shumë të tjerë asokohe. Në ceremoninë e varrimit erdhi edhe veprimtari i shquar, Ukshin Hoti, vendlindja e të cilit, Krusha e Madhe është rreth 5 kilometra nga Fortesa.
Si ideolog i kërkesës për “Kosovën Republikë” në Pranverën ‘81, si mbështetës i hapur i Lëvizjes Studentore, për çka kishte vuajtur 3 vjet e gjysmë burgim nga 9 sa ishte dënuar dhe si një profesor eminent që vinte nga Harvardi, fjala e Tij do të peshonte tagrin që shqiptarët po paguanin në rënien e kreaturës kriminale, të cilën, siç shprehet ai, e kishin tronditur të parët në vitin 1981.
Republika e Kosovës, të cilën e definon si interes jetik në procesin e Bashkimit (Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare), duhet të jetësohet dhe për t’u bërë kjo, gjatë fjalimit në këtë ceremoni mortore, Ukshin Hoti bën thirrje që në mënyrë urgjente të formohen Forcat e Armatosura, në gjirin e të cilave do të vepronin të rinjtë e Kosovës.
Edhe pse një pjesë e madhe e veprës së tij politike e shkencore nuk ka arritur t’i shpëtojë përndjekjes (e vjedhur nga Sigurimi i Serbisë gjatë arrestimit të dytë dhe të tretë në vitet 1993 dhe 1994) dhe luftës (djegia e shtëpisë së tij nga forcat serbe në vitin 1999), kjo thirrje dhe porosia për një politikë të qartë në raport me rrethanat e krijuara asokohe është ruajtur në një xhirim amator të ceremonisë dhe gjendet lehtë sapo të bëni një kërkim në google.
Fakti që Ukshin Hoti ka ftuar për formimin e Forcave të Armatosura nuk do të thotë asgjë nëse ideja s’do të shoqërohej me analizën programatike të Çështjes Shqiptare dhe aktivizmi i tij me veprime konkrete në ballë të të cilave ishte vetë.
“Dëshmorë të Demokracisë” i kishte pagëzuar 5 të rënët e 27 janarit 1990 në fshatin Brestoc, të vrarë nga policia serbe e cila kishte dalë ta bllokonte marshimin paqësor të protestuesve drejt Rahovecit, ndërsa të njëjtën ditë dy vjet më vonë (27 janar 1992), kishte dalë vetë t’u printe qytetarëve në një marshim tjetër paqësor të nisur nga Krusha e Madhe për t’i nderuar dëshmorët. Policia bllokoi rrugën në Nagavc dhe protesta nuk vazhdoi dot, mirëpo Ukshin Hoti po krijonte frymën e lirisë.
Pas lirimit nga burgu më 1985, si armik i Jugosllavisë ai ishte mbajtur plotësisht i izoluar nga elita politike e intelektuale, por kur Jugosllavia filloi të shembet, izolimi e kishte bërë atë njësh me popullin. Çdo ditë e më shumë po bëhej e qartë rruga e lirisë dhe çdo ditë e më shumë veprimtarë që nuk i takonin elitës, po kërkonin lidershipin e tij. Kur më 1994 vendosi të merrte përsipër drejtimin e Partisë së Unitetit Kombëtar në Prishtinë, policia serbe e arrestoi sërish, rrugës në dalje të Rahovecit. Prej 17 majit 1994, u mbajt në burgjet serbe për dënimin prej 5 vjetësh, ndërsa të dielën e 16 majit 1999 filloi enigma rreth fatit të tij.
Këto të dhëna janë të njohura gjerësisht dhe mund t’ju duken pa lidhje me temën, por a s’është UÇK-ja produkt i kësaj kohe dhe i këtyre rrethanave? A nuk lindi ajo nga vizioni dhe përkushtimi i atyre veprimtarëve që s’i takonin elitës? Ndonëse ende nuk di të ketë një version unik për themelimin e UÇK-së, viti ’94 ose fillimi i viteve ’90 është përmendur nga protagonistët.
Mirëpo kjo nuk është çështja dhe as meritat apo insistimi për të theksuar idenë e Forcave të Armatosura. Fokusi i këtij shkrimi ka të bëjë me dy pozicione të ndryshme (s’po i quaj të kundërta), të cilat sot, e besa prej shumë kohësh, po tentohet qëllimshëm të barazohen në këtë rrugëtim.
Pra, në qoftë se UÇK-ja ishte projekti më i suksesshëm i shqiptarëve në fundshekullin XX, dhe në qoftë se Ushtria e Kosovës sot është rezultat i saj, i gjakut të dëshmorëve dhe i sakrificës së popullit ndër breza, atëherë si ka mundësi që një i deportuar i elitës së djeshme, të vazhdojë të jetë i mohuar edhe sot? Ose unë s’jam në rregull e s’po kuptoj gjë, ose logjika s’është në rregull. Nuk e përjashtoj të parën dhe nëse është, “s’bëhet kijameti” do të thoshte kryeministri Haradinaj. Mirëpo, ndërmjet meje dhe atyre që janë në krye, ka një dallim radikal: nëse unë jam gabim, nuk dëmtohet askush përveç meje, e nëse ata janë gabim, ata nuk dëmtohen, por dëmtohet Kosova.
Mosvlerësimi, lënia në harresë e ideologut të Forcave të Armatosura, e profesorit të papërkulur dhe veprimtarit të pathyeshëm, të cilin e kishin etiketuar si luftënxitës apo “enverist”, s’ka rëndësi për të, madje as për Andinin, i cili sot e ka votuar ushtrinë, por ka shumë rëndësi për ne, për autodestruksionin tonë si pasojë e kësaj logjike.
E di paraprakisht që disa do të irritohen nga teksti e disa do të pajtohen, por nuk vendosa të shkruaj për hatër të asnjërit, as për ta kujtuar një personalitet historik në një ditë historike si sot. Vendimi për ushtrinë padyshim që është ngjarja më e madhe pas 17 shkurtit 2018. (Aktivpress)
***Autori është gazetar me përvojë shumëvjeçare, njëherësh ligjërues universitar