Një fluturim rutinë testues u shndërrua në temë diskutimi në rrjetet sociale, pasi një pilot i ri vendosi të shfrytëzonte itinerarin e avionit për të lënë një mesazh të pazakontë në radar.
Fjalët “I’m bored” (“Jam i mërzitur”) u vizatuan mbi qiejt e Anglisë dhe Uellsit, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e përdoruesve të platformës Flightradar24.
Sipas The Guardian, piloti, një instruktor fluturimi në të njëzetat e tij nga kompania ajrore Ravenair, u nis të shtunën nga Liverpooli me një aeroplan të vogël të tipit Piper Tomahawk, transmeton Klankosova.tv.
Kompania sqaroi se bëhej fjalë për një fluturim rutinë testues, me kohëzgjatje rreth dy orë, i cili kishte për qëllim verifikimin e funksionimit të avionit pas zëvendësimit të njërit prej cilindrave të motorit.
Gjatë fluturimit, pilotit iu deshën rreth 20 minuta për të formuar mesazhin mbi grykëderdhjen e lumit Dee. Sipas të dhënave të fluturimit, ai operoi në një lartësi prej 335 metrash dhe me një shpejtësi prej afërsisht 100 nyjesh, duke kryer kthesa të ngushta dhe precize në mënyrë që shkronjat të shfaqeshin qartë në hartën e radarit.
Menaxheri i operacioneve të Ravenair, Wayne Barrett, konfirmoi se avioni funksionoi pa asnjë problem dhe se piloti nuk do të përballet me masa disiplinore. Përkundrazi, ai vlerësoi aftësitë e tij në manovrimin e avionit.
“Besoj se ai ishte vërtet pak i mërzitur, pasi bëhej fjalë vetëm për një fluturim provë. Megjithatë, ishte një fluturim që kërkonte shumë aftësi. Edhe nëse ishte mërzitur në fillim, me siguri është dashur të përqendrohej maksimalisht për të formuar fjalët”, tha Barrett.
Ai shtoi se avioni u kthye i sigurt në hangar pas përfundimit të testimit, ndërsa pilotit iu dha një ditë pushim.