Qendërmbrojtësi Gerard Pique thotë se zhveshtorja e Barcelonës ishte e bashkuar, përkundër që kampionia në fuqi e La Ligës pësoi një disfatë tronditëse kundër Athletic Bilbaos, duke u eliminuar nga Kupa e Mbretit.
Disfata me rezultat 1:0 kundër Athletic Bilbaos bëri që Barcelona të eliminohet nga Kupa e Mbretit në fazën çerekfinale të enjten, shkaku i një goli të shënuar në momentet e fundit të ndeshjes nga Inaki Williams.
Kjo disfatë erdhi pas kritikave të drejtorit sportiv Eric Abidal, i cili e vuri në dyshim punën e lojtarëve nën trajnerin e shkarkuar Ernesto Valverden. Abidalit i kishte reaguar ylli dhe kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi.
“Nuk është momenti i duhur për t’i nxjerrë të palarat sheshit. Zhveshtorja është plotësisht e bashkuar”, tha Pique, pas ndeshjes.
“Eliminimi është një goditje e madh por, në zhveshtore, ne thamë se e kemi një hap përpara dhe luajtëm mirë, përkundër të gjithë zhurmës që e kemi pasur rreth vetes”.
“Ne duhet të përqendrohemi te ndeshjet dhe të fitojmë. Ne duhet t’u kthehemi fitoreve. Lojtarët e kanë aftësinë për të vazhduar me fitore dhe po punojmë për këtë çdo ditë”.
Pasi që Barcelona është ende në garë në La Liga, ku radhitet me tre pikë më pak sesa Real Madridi, dhe në Ligën e Kampionëve, Pique tha: “Ne kemi mjaftueshëm vetëbesim dhe talent për t’i fituar dy titujt e mbetur”./ge