Pjesëmarrja në votime më e lartë se më 4 dhjetor

Drenas | 18 Dhj 2016 | 18:22 | Nga Kaltrina Misini

Deri në orën 17, votën e tyre për kryetar të Drenasit, e kanë hedhur 39 për qind e votuesve të regjistruar. Kjo shifër është më e lartë krahasuar me raundin e parë që u mbajt më 4 dhjetor.

Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim (DnV), e cila po vëzhgon zgjedhjet në Drenas, tha se deri në orën 17:00 kane dalë 39 për qind e atyre që janë në listën zgjedhore.

Kryeziu ka folur edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor deri në orën 17, nga informatat që kanë marrë nga vëzhguesit e tyre.

Ai tha se kanë vërejtur se ka pasur bartje të votuesve me transport të organizuar. Ky është një mobilizim i partive politike, por nuk është në kundërshtim me ligjin, ka vlerësuar Kryeziu.

Ndërkohë, vëzhguesit kanë evidentuar 67 raste të votimeve familjare, 12 raste te fotografimit të votës, si dhe 144 raste kur votuesit nuk kanë gjetur emrin e tyre në listë.

Kurse, shkelje më serioze kanë qenë disa raste kur votues me shenjë spreji në gisht kanë tentuar të votojnë sërish.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme