Në Grafenworth të Gjermanisë është mbajtur gara ndërkombëtare e ashtuquajtur “Ekspert i Mjekësisë Fushore”, në të cilën morën pjesë mbi 200 pjesëtarë nga shumë vende të botës, si nga: ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Danimarka, Norvegjia, Kosova etj.
Pjesë e kësaj gare ishin edhe tre pjesëtarë-paramedikë të Qendrës Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së.
Gara “Ekspert i Mjekësisë Fushore” kishte për qëllim koordinimin dhe aftësimin e pjesëmarrësve në përdorimin e teknikave të reja mjekësore si dhe ngritjen e nivelit reagues gjatë fushëbetejave reale dhe fitimin e begjit.
Nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse të kësaj gare, Begjin si ekspert të mjekësisë fushore, e kanë fituar 23 pjesëmarrës.
Në mesin e fituesve janë edhe dy pjesëtarë të Qendrës Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit të RMC-së, Besart Ejupi dhe Kushtrim Hyseni, të cilët janë shpallur ndër më të mirët edhe në nivel Evrope, njofton Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes një komunikate për medie.
Vlen të theksohet se vetëm tre fitues të garës kanë arritur të marrin begjin në tentimin e parë; dy pjesëtarët e FSK-së dhe një amerikan, kurse 19 fituesit e tjerët këtë begj kanë arritur ta fitojnë pas dy e më shumë tentimeve.
Pjesëmarrësit kanë garuar në disiplinat: Aftësi luftarake, aftësi medicinale, komunikim, evakuim të viktimave, test i përgjithshëm me shkrim, navigim ditën e natën, si dhe marshim me të gjitha pajisjet në një gjatësi prej 20 kilometrave.
Sipas komunikatës pjesëtarët e FSK-së, u treguan më të mirët në mesin 200 pjesëmarrësve, gjë për të cilën, nga organizatori u shpërblyen me mirënjohje.
“Mund të themi se suksesi i pjesëtarëve të FSK-së, në një konkurrencë kaq të madhe, është padyshim dëshmia më e mirë se FSK-ja po ecën me hapa të sigurt drejt profesionalizimit sipas standardeve të NATO-s”, thuhet në komunikatë.