Ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala, në seancën ku është mbajtur fjala hyrëse e mbrojtjes është deklaruar i pafajshëm.
“Dua të ju them qartë dhe pa asnjë dyshim që jam plotësisht i pafajshëm për të gjitha akuzat që më janë ngritur dhe pretendojnë të më bëhen në këtë proces”, ka theksuar ai.
Shala, i cili ngarkohet me tortura mizore të kryera në Fabrikën e Metaleve në Kukës mes majit e qershorit të 1999-s, ka theksuar se ka luftuar për lirinë e vendit të tij dhe jo kundër civilëve.
“Unë qëndroj këtu përballë jush, të ju them se e respektoj drejtësinë, kurrë asnjëherë, këto që më ngarkohen në aktakuzë, që kam luftuar për lirinë e vendit tim dhe vendit tim dhe asgjë më shumë, të një regjimi kriminal të Millosheviçit, por kurrë, asnjëherë kundër civilëve. Nëse është qëllimi i këtij institucioni që të më dënoni që kam luftuar për lirinë e vendit tim, në rregull, por jo në këtë mënyrë, të njollosem, të baltosem, këto nuk janë metodat tona … ne nuk kemi luftuar kundër civilëve, as nuk kemi të bëjmë asgjë me akuzat që me janë ngritur, ato janë të panjohura”, ka deklaruar Shala.
Deklarata e Shalës, me kërkesë të mbrojtjes është bërë pa betimin e tij para trupit gjykues.
Seanca e radhës në këtë rast është caktuar për 27 mars ku do të vazhdohet me paraqitjen e provave.