Serbia duket se nuk ka hequr dorë nga plani për të inskenuar “katastrofën humanitare” në veri të Kosovës. Pavarësisht se nuk mungojnë produktet ushqimore me prejardhje nga Serbia, pronarëve të marketeve në Mitrovicën veriore u është kërkuar që të hënën të mos i hapin fare dyqanet.
Dyqanet ushqimore në Mitrovicën veriore janë mjaft mirë të furnizuara, megjithatë, të hënën nuk do të punohet. Një shitëse marketi gjatë bisedës ka rrëfyer se të hënën me 1 korrik, dyqanet nuk do të hapen. Ndonëse nuk thotë se nga kush erdhi ky urdhër, ajo pohon se atë ditë, dyqanet në veri nuk do të furnizohen me bukë.
“Të hënën dhe të martën, na kanë thënë të mos i hapim dyqanet, se as buka nuk do të vijë. Po ashtu, kanë thënë se nuk guxojmë të furnizohemi as nga Lagjja e Boshnjakëve”, shtoi ndër të tjera ajo për Radio Kosovën.
Shitësi i një marketi tjetër ushqimor, në qendër të Mitrovicës veriore, thotë po ashtu se çdo ditë produktet e tyre po pakësohen.
“Është katastrofë për sa i përket mallrave, mungon buka, qumështi. Çdo gjë mungon. Mungojnë gjërat elementare, këto janë furnizimet e fundit, kur kjo të mbarojë, pronari do ta mbyllë dyqanin. Nuk mund të importojmë kur e kemi taksën 100 për qind, nuk di si t’ua sqaroj, mall nuk mund të blejmë më”, shtoi ai.
Pavarësisht se marketet ushqimore janë plotë, qytetarët e intervistuar thonë se nuk mund të gjejnë produktet bazike ushqimore.
Ndërsa një qytetar rasti tha: “Djali im, nuk mund të gjesh sheqer, vaj, qumësht të paketuar…Sot në mëngjes, nuk ke mundur të gjesh ujë – ujë në ato balonat, sepse uji i sistemit është i ndotur”.
Kurse tjetri qytetar tha: “Varet nga vendi, në disa pjesë të qytetit ka mungesa të ushqimeve”.
Por një qytetare tjetër serbe, ka thënë shkurt se e tëra është një propagandë mediale. Mungesa e produkteve serbe në treg, është një gënjeshtër tipike.
“Gënjeshtër, e tëra gënjeshtër. Kjo është një propagandë mediale. Ju mund të shihni, shikoni në dyqane. Kjo është një gënjeshtër tipike”, tha ajo.
Sipas autoriteteve në Beograd, banorët e komunave veriore në Kosovë, po i vuajnë pasojat e taksës 100 për qind të vendosura nga Prishtina zyrtare për importet nga Serbia. Situata është komentuar nga Qeveria e Kosovës – si plani serb për inskenimin e katastrofës humanitare. Përtej deklaratave, mediet tash e disa ditë kanë verifikuar se në komunat veriore nuk mungojnë produktet ushqimore me prejardhje nga shteti serb.