Ish-deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në një postim në llogarinë e saj në Facebook ka shpërndarë dy fotografi me rezoluta ku shkruan se kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, e ka sponsorizuar rezolutën e cila e autorizoi Thaçin që të nisë bisedimet për ndarjen e Kosovës.
Ndërsa në fotografinë e publikuar me rezolutën e dytë, Osmani vë në pah se si LDK-ja e kishte parandaluar që presidenti të bënte një gjë të tillë.
“Rezoluta në foto 1 që E AUTORIZON Thaçin për bisedime dhe i hapë rrugën për planin e ndarjes: E sponzorizuar nga Haradinaj, e parandaluar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Rezoluta në foto 2 që IA NDALON Thaçit dhe kujtdo tjetër të negociojë territorin: E sponzorizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por e parandaluar nga Haradinaj me deputetët e tij dhe PAN-istët e tjerë.
Bëjeni llogarinë vet tani, se kush vërtetë parandaloi ndarjen e Kosovës. Një parti me 10 deputetë, apo një parti me 25 deputetë (që bashkë me partitë e tjera opozitare përbënim shumicën shqiptare)”, ka shkruar ajo.