Ish-presidenti i UEFA-s, Michael Platini, e ka bërë të qartë që ende s’ka ndryshuar mendim për përdorimin e teknologjisë VAR (Video Assistant Referee), duke thënë se ka qenë kundër kësaj teknologjie pasi që beson se futbolli s’mund të referohet nga videot.
Michel Platini e ka dhënë së fundi një intervistë për gazetën italiane Il Corriere dello Sport, ku ka folur për disa tema të ndryshme, në mesin e të cilat edhe për VAR-in, që vazhdimisht kritikohet nga tifozët e futbollit.
“E kam thënë që nga dita e parë, nuk e mbajta për vete. Kam deklaruar se jam kundër kësaj teknologjie, veçanërisht nëse vazhdon të përdoret në këtë mënyrë. Futbolli s’mund të referohet nga videot. Televizioni e shtrembëron perceptimin e incidenteve individuale”, tha Platini.
“Futbolli është një sport ku ka kontakt mes lojtarëve. Ka ndërhyrje të rregullta të cilat, kur kalohen përmes filterit të televizionit dhe ngadalësohen, çojnë te interpretime të papranueshme. Ndërhyrjet e parregullta duhet të shihen dhe gjykohen në kohë reale”.
“VAR-i i vret emocionet e golave, e detyron lojtarin të festojë me pesë minuta vonesë apo edhe të festojë dy herë. Për të qenë ndeshjet e barabarta s’ka nevojë për VAR, por për gjyqtarë më tëmirë. Kjo teknologji s’është kontroverse vetëm në Itali, por edhe në Angli, Spanjë e Gjermani”.
75 për qind e tifozëve të futbollit besojnë se VAR-i (Video Assistant Referee) e ka bërë futbollin më pak argëtues, sipas një sondazhi të ri të bërë nga YouGov. Kjo teknologji është vlerësuar mesatarisht me 4 pikë nga 10 të mundshme nga tifozët.
Gjetjet e sondazhit:
– 67 për qind e tifozëve thonë se VAR-i ka bërë që futbolli t’iu sjellë më pak kënaqësi.
– 60 për qind e tifozëve thonë se VAR-i ka bërë punë të dobët.
– 8 për qind e tifozëve thonë se duan që VAR-i të vazhdon të përdoret ashtu siç po përdoret tani.
– 74 për qind e tifozëve thonë se VAR-i duhet të vazhdojë të përdoret, por të ndryshohet mënyra se si përdoret kjo teknologji nga gjyqtarët.
– 15 për qind e tifozëve duan që VAR-i të mos përdoret fare më.
– 71 për qind e tifozëve duan që VAR-i ta ketë një limit kohe të caktuar për të marrë vendim për një incident.
– 81 për qind e tifozëve duan që videot që shqyrtohet nga VAR-i t’iu shfaqen edhe tifozëve në të njëjtën kohë.
– 73 për qind e tifozëve duan ta kenë mundësinë t’i dëgjojnë bisedat me gjyqtarit kryesor dhe gjyqtarëve në dhomën e VAR-it.
– 80 për qind e tifozëve e inkurajojnë përdorimin e monitorëve përreth fushës gjatë vendimeve të VAR-it.
YouGov i intervistoi 1419 të rritur britanikë, mes 15 dhe 22 janarit, për këtë sondazh. Ata ishin të zgjedhur si shikues të rregullt të ndeshjeve të Premierligës. /Gazeta Express/