Banorët e fshatit Orllan të Podujevës i janë gëzuar lajmit se vitin tjetër mund të bëhen me ujë të pijshëm.
Kryetari i Podujevës, Agim Veliu dhe kryeshefi ekzekutiv i kompanisë së ujësjellësit rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, kanë nënshkruar ditë më parë marrëveshje bashkëpunimi për hartimin e projektit zbatues për furnizimin me ujë të fshatit Orllan, nga Fabrika e Përpunimit të Ujit deri te konsumatorët, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar KRU “Prishtina” me stafin e saj harton projektin ideor, duke caktuar pikat e lidhjes për furnizim, kthinën për stacion pompimi dhe lokacionin potencial për rezervuarin.
Gjithashtu KRU “Prishtina”, sipas një njoftimi për media të Zyrës së informimit të Komunës ë Podujevës, do të caktojë një zyrtar për komisionin e vlerësimit të ofertave dhe vlerësimit të projektit, dhe do t’i bëjë kontrollin e projektit të harmonizuar me zyrtarët komunalë.