Zyrtarët komunalë të Podujevës kanë premtuar se do t’u dalin në ndihmë grave që angazhohen për të siguruar pavarësi ekonomike. Në Ditën e Gruas, nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu e ka viztuar fermeren nga kjo komunë, Afërdita Murati nga fshati Llapashticë.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, një delegacion i Komunës së Podujevës, i udhëhequr nga nënkryetarja Marigona Lahu, ka vizituar biznesmenen dhe fermerën e suksesshme llapjane, Afërdita Murati në fshatin Llapashticë. Gjatë vizitës në biznesin familjar të zonjës Afërdita Murati, nënkryetarja Marigona Lahu, e shoqëruar nga drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Elhame Kutllovci, drejtoresha për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Bahrie Shatrolli dhe drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vigan Salihu, u informuan me punën suksesin dhe sfidat me të cilat përballet një grua e skusesshme llapjane”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.
Sipas të njëjtit, nënkryetarja Lahu gjatë kësaj vizite është shprehur e lumtur me suksesin e treguar nga ky biznes që drejtohet nga një grua.
“I gëzohem shumë suksesit të Afërditës dhe të secilit biznes llapjan, por veçmas për rastin në fjalë, sepse një grua ndërmarrëse po tregon rezultate të shkëlqyeshme dhe me krenari e përdorim suksesin e saj si storje suksesi në prezantimet tona”, ka thënë nëpërmjet këtij njoftimi, Marigona Lahu.
Kjo fermere merret me kultivimin e frutave të imëta dhe përpunimin e produkteve të tyre. “Nënkryetarja Lahu shprehu gatishmërinë e plotë të Komunës së Podujevës, që përmes Drejtorisë së Bujqësisë, por edhe në secilën rrugë tjetër institucionale për t’u dalë në ndihmë grave që angazhohen për të siguruar pavarësi ekonomike”, thuhet tutje në njoftim. “Afërdita Murati është fermere, e cila merret me kultivimin e frutave të imëta dhe përpunimin e produkteve të tyre. Suksesi i saj prezantohet edhe në projekte të ndryshme nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, të cilat organizojnë trajnime me qëllim të shkëmbimit të përvojave të mira”.