Në Komunën e Podujevës janë strehuar 48 persona të ardhur nga zonat e goditura nga tërmeti
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Komunë gjatë muajit të fundit; informatën për rastet e kthimit dhe integrimit të qytetarëve në shtëpitë (pronat) e tyre si dhe formimin e grupit punues për Planin e Punës të KKSB për vitin 2020 dhe grupin për informatën e punës së KKSB për 2019.
Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunë e Podujevës, raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Zogiani, i cili tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë në përgjithësi është e mirë. Ai si shqetësuese paraqiti rastin e rritjeve të aksidenteve në komunikacion dhe rastin e sulmit me armë nga persona të panjohur ndaj shtëpisë së një pjesëtari të Policisë së Kosovës,
Komandanti i Policisë tha se që nga 26 nëntori, kur Shqipëria u godit nga tërmeti tragjik, janë duke përcjellur ardhjen e personave nga zonat e goditura nga tërmeti, e që po kërkojnë strehim në komunën tonë.
Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së. Përfaqësuesi i KFOR-it, vlerësoi lart solidaritetin dhe mikpritjen e treguar nga qytetarët e komunës së Podujevës për qytetarët e zonave të goditura nga tërmeti.
Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, tha se menjëherë pas tërmetit që goditi Shqipërinë, kryetari i Komunës ka mbledhur në takim Komitetin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim ku është analizuar situata e krijuar pas tërmetit tragjik dhe janë ndërmarr masat dhe janë dhënë detyrat për menaxhimin e ndihmave dhe sistemimin e personave që do të kërkojnë strehim në komunën tonë.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, tha se aktualisht në komunën tonë janë raportuar se nga Shqipëria kanë ardhur dhe janë strehuar 11 familje me 48 anëtarë, të cilat janë vendosur nëpër shtëpi në pesë lokalitete, prej tyre dy familje janë vendosur në një hotel.
Drejtori Thaçi tha se zyrtarët e drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i kanë vizituar këto familje për të parë kushtet në të cilat janë akomoduar dhe nevojat e tyre. Ai tha se disa familje kanë nevojë për ushqime, gjëra higjienike dhe dru për ngrohje.
Në takim u tha se qytetarët që kanë strehuar dhe që do të strehojnë familje të ardhura nga zonat e goditura nga tërmeti në Shqipëri duhet të paraqiten tek kryetarët e komitetit të fshatrave, ose në Komunë dhe t’i japin të dhënat për numrin e anëtarëve të familjeve të strehuara, në mënyrë që të bëhet evidentimi i saktë i tyre.
Në takimin e sotëm, Udhëheqësi i Zyrës për Komunitetet dhe Kthim, Liman Zeqiri paraqiti informatën për rastet e kthimit dhe integrimit të qytetarëve në shtëpitë (pronat) e tyre. Zeqiri tha se gjatë këtij viti janë riatdhesuar 103 persona. Më tej ai tha se tri familjeve u është siguruar strehim i përkohshëm, kurse tri familje kanë kërkuar të futen në skemën e asistencës sociale.
KKSB në mbledhjen e sotme formoi Grupin Punues për hartimin e Planit të Punës të KKSB për vitin 2020 si dhe grupin për hartimin e informatës së punës së KKSB për 2019.