Mbi 76 kilogramë marihuanë janë konfiskuar në një aksion të Anti-drogës të koduar “Bregdeti”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë konfiskuar mbi 76 kilogramë narkotikë dhe kanë arrestuar tre persona të dyshuar.
Rasti ka qenë nën hetim prej disa muajsh dhe më 21 janar afër pikëkalimit në Merdarë është ndaluar i dyshuari H.S. që po drejtonte një kamion ku i janë gjetur 68 paketime me marihuanë me peshë 76 kilogramë e 800 gramë.
Ndërkaq, Prokuroria ka njoftuar tutje se është realizuar edhe urdhër kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit dhe gjatë kontrollit janë gjetur: 1 armë zjarri me 5 fishekë të kalibrit 9.9 mm, 2 vetura, 1 kamion, 1 telefon celular, para të gatshme 2950 euro.
Në vazhdimësi të operacionit, më 22 janar janë bastisur dy lokacione të tjera, shtëpi të dy të dyshuarve të tjerë në fshatin Godishnjak në Podujevë. Gjatë kontrollit janë gjetur 4 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 4 kilogramë e 454 gramë, 2 vetura, 2 telefona celularë, thasë najloni të zbrazur ngjyrë të zezë dhe ngjitës, që kanë shërbyer për paketimin narkotikëve. Po ashtu është gjetur një armë zjarri me gaz e modelit Signasauser.
Tre të dyshuar janë ndaluar për 48 orë.