Podujevë: Protestojnë banorët e Gërdocit, thonë se ka padrejtësi në punësim në Burgun e Sigurisë së Lartë

Prishtinë | 20 Jan 2019 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Banorët e fshatit Gërdoc të Podujevës kanë protestuar pranë Burgut të Sigurisë së Lartë në këtë vend, pasi, sipas tyre, ka pasur padrejtësi në punësimin në këtë institucion.

Banorët e këtij fshati thonë se kur është hapur burgu u ishte premtuar se në kushte të barabarta me kandidatët tjerë, do të kenë përparësi ata që vijnë nga ky fshat.

Sipas tyre gjashtë kandidatë nga ky fshat që konkurruan në konkursin e fundit të shpallur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për 120 gardianë, janë përballur me padrejtësi.

Njëri nga protestuesit i cili kishte aplikuar për njërin nga vendet e punës, Leutrim Bajrami, ka thënë se nuk është pranuar pavarësisht se ka pasur sukses në të gjitha fazat e testimit, përderisa, sipas tij, ka pasur aplikues që janë pranuar me më pak pikë.

Protestuesit pas rreth gjysmë ore proteste të qetë janë shpërndarë dhe paralajmëruan se do të vazhdojnë me protesta tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme