Mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba, ka rrëfyer për përvojat e tij personale me racizmin në botën e futbollit, duke shtuar se injoranca është ende e pranishme në mesin e tifozëve të futbollit.
Fituesi i Kupës së Botës e ka shijuar një karrierë mjaft të suksesshme në nivelin më të lartë gjatë tetë vjetëve të fundit, me disa sezone në Juventus mes dy periudhave me Manchester Unitedin.
26-vjeçari konsiderohet të jetë njëri ndër lojtarët më të talentuar të gjeneratës së tij, mirëpo përkundër statusit të tij global, ai është bërë disa herë viktimë e abuzimit racor nga grupe tifozësh.
Racizmi e tronditi botën e futbollit sërish gjatë sezonit 2018/19. Lojtarët në Angli dhe Uells u bashkuan në prill në një kampanjë kundër racizmit, ku i bojkotuan rrjetet sociale për 24 orë.
“Po, unë kam përjetuar racizëm. Kur unë e pashë reagimin e tjerëve vetëm mendova: “A do ta bëja unë atë gjë apo jo”. Është pikëlluese të shohësh diçka të tillë. Jam shumë i pikëlluar që e shoh këtë gjë në fushën e futbollit”.
“Kur tifozët e bëjnë këtë gjë, ata kanë edhe lojtarë me ngjyrë në skuadrën e tyre, kjo është edhe më pikëlluese. Ata nuk i respektojnë lojtarët apo skuadrën. Mendoj se ata janë racistë dhe injorantë, nuk e di. Ose ndoshta ata thjesht nuk duan të të shohin të performosh mirë. Shoh dhe dëgjoj shumë gjëra, por nuk reagoj, vetëm buzëqesh”.
“E kam një histori. Në një ndeshje kundër Fiorentinës, unë hyra në lojë nga stoli dhe një tifoz bëri si majmin. Unë i thashë: “Pse?”. Në fund ia dhashë fanellën time, ata ishin të lumtur dhe më duartrokitën”.