Mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba, e ka pranuar se Liverpooli është shumë përpara ekipeve të tjera në Premierligës, përkundër që ai s’dëshiron që klubi rival i tij ta fitojë trofeun e shumëpritur të Premierligës.
Liverpooli është në rrugë të drejtë për ta fituar titullin e këtij sezoni të Premierligës, pasi që Reds janë 22 pikë para Manchester Cityt, që është i dyti në tabelë, pas fitores të së hënës me rezultat 3:2 kundër West Hamit.
Reds për momentin janë ende të pamposhtur në këtë sezon të Premierligës, ndërsa Manchester Unitedi mbetet skuadra e vetme që i ka marrë pikët Liverpoolit, në barazimin mes dy skuadrave në pjesën e parë të sezonit.
Pogba e pranon se Liverpooli është dominues këtë sezon në Premierligë, mirëpo ai s’është aspak i kënaqur me këtë situatë.
“Ata janë shumë para të gjithë të tjerëve. Ata s’e kamë humbur ende asnjë ndeshje këtë sezon në ligë. Tashmë e kanë një dorë në trofeun e Premierligës”, ka thënë Pogba në një intervistë të dhënë për ESPN.
“Si lojtar i Manchester Unitedit dhe për shkak të rivalitetit mes nesh, ne nuk duam që ata fitojnë titullin. Ne nuk duam që askush përpos nesh të fitojë, por si tifoz i futbollit dhe lojtar i skuadrës kundërshtare që ka respekt, unë duhet ta pranoj se ata e meritojnë të jenë aty ku janë sot”.
“Ata kanë qenë edhe më të mirë sesa sezonin e kaluar, kur e fituan titullin e Ligës së Kampionëve, dhe para atij sezoni, kur e humbën finalen [kundër Real Madridit]”. /Gazeta Express