Në njërin prej programeve të mëngjesit të televizionit serb Pink është diskutuar rreth Kosovës dhe çështjes së Gjykatës Speciale.
Por, në fakt ishte tema rreth statusit të ambasadorëve në Prishtinë, e cila ngjalli debat të madh mes dy të ftuarve, respektivisht drejtorit të Forumit për marrëdhënie ndëretnike, Dushan Janjiq, dhe kryetarit të komisionit parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun, raporton KTV.
Ky i fundit kishte thënë se nuk dihet se ndaj kujt do të ngrihen aktakuzat e para të Gjykatës Speciale.
“Lista e njerëzve nga Grupi i Drenicës zbulon se kush do të mund të gjendej në aktakuzë. Nga ana tjetër, është Klani i Haradinajve. Prokuroria është e përqendruar te përgjegjësia komanduese e UÇK-së, e ne kemi dhënë skemën organizative për të konfirmuar se kush duhet të mbajë përgjegjësi”, ka thënë Drecun në këtë emision.
Sipas tij, Haradinaj tashmë është liruar për disa nga krimet, andaj nuk mund të gjykohet për të njëjtat vepra.
“Supozoj se do të gjykohet për Liqenin e Radoniqit, por edhe Grupi i Rahovecit ka gjasa të jetë në aktakuzë. Do të akuzohet edhe Sylejman Selimi. Por, për emra duhet të presim pak, ndërkohë që duhet parë edhe kualiteti i dëshmive”, komentoi ai.
Drecun shtoi se pas kthimit të Hashim Thaçit nga SHBA-ja, në fillim të tetorit është i qartë ndryshimi i qëndrimit ndaj këshillave gjyqësore dhe qëndrimi negativ i kosovarëve ndaj Gjykatës.
Andaj Drecun supozon se kjo po ndodh ngase dikush në SHBA i ka thënë presidentit Thaçi se edhe ai do të akuzohet nga Gjykata Speciale.
Sidoqoftë, temë e debatit ishte edhe statusi i përfaqësuesve diplomatikë në Prishtinë, për të cilët Drecun insistonte se janë të ashtuquajtur ambasadorë, sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, por drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, Dushan Janjiq nuk u pajtua me të dhe pas një diskutimi të shkurtër u largua nga emisioni.