Policët e akuzuar nga VV-ja për kidnapimin e studentit nuk kanë qenë në vend të ngjarjes

Prishtinë | 18 Mar 2017 | 13:08 | Nga

Tre zyrtarë policorë të cilët të premten u akuzuan nga Lëvizja Vetëvendosje se e kanë kidnapuar studentin që ka quajtur Presidentin Hashim Thaçi “hajn” gjatë një ligjëratë në një kolegj në Prishtinë, nuk kanë qenë fare në vendin e ngjarjes.

Insajderi merr vesh se Arben Bytyqi, Arsim Jashanica dhe Arsim Rashica të përmendur nga VV-ja, dje nuk kanë qenë duke e kryer punën e mbrojtjes së afërt të presidentit. Dy nga ta sipas këtyre burimeve kanë qenë në pushim, ndërsa njëri ka qenë në zyrë tërë ditën.

Por policia e Kosovës nuk ka dhënë informacione lidhur me këtë çështje.

Zëdhënësi Bajram Krasniqi, tha se zyrtarisht nuk kanë ndonjë informatë lidhur me policët e përmendur.

“Pasi që është edhe vikend nuk po mund të sigurojnë informata nga zyrtarët kompetent”, tha ai, shkruan Insajderi.

Lëvizja Vetëvendosje, kishte reaguar menjëherë pas incidentit që kishte ndodhur gjatë ligjeratës ku presidenti Hashim Thaçi ka qenë duke e mbajtur një ligjëratë për formimin e ushtrisë, ku dy nga studentët e kishin quajtur Thaçin “president i gazit, prontos e hajn”.

Sipas VV-së dy studentët ishin kërcënuar dhe rrahur nga sigurimi, ndërsa Korab Muhadri ishte kidnapuar nga katër polic zyrtarë të eskortës së presidentit.

“Për shkak të protestës nga ana e studentit Muhadri për faktin që nuk iu dha fjala, katër policë me veturën zyrtare të eskortës së Thaçit, me targat 156-01, e kanë kidnapuar atë në rrugë, duke e futur në veturë, që më pas ta kërcënojnë e ta rrahin, si dhe ta porosisin që asnjëherë të mos ngreh zërin ndaj Thaçit. Tre nga këta policë ishin Arben Bytyqi, Arsim Jashanica dhe Arsim Rashica, të cilët e kanë kërcënuar studentin Muhadri edhe me jetë”, thuhej në njoftimin e VV-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme