Polici i vrarë dhe policët e gjallë përballë qeverisë!

Prishtinë | 02 Nën 2023 | 14:08 | Nga Ahmet Jashari

Polici Afrim Bunjaku, i vrarë nga terroristët serbë u shpall hero, u nderua nga shteti, shoqëria dhe gjithë kombi. Dy muaj më vonë policët e gjallë, në këtë rast ata të njësive speciale që u përballen dhe mundën terroristët serbë, fatkeqësisht u mundën nga qeveria e vendit. Heroizmi i tyre u shemb si një kullë prej letre përballë ndërtesës së qeverisë, e cila krenohej dhe shërbehej me guximin e tyre në publik. Ata u detyruan të dorëzohen “pa armë” përballë institucioneve të vendit, duke kërkuar paga dhe kushte të dinjitetshme.

E lutën qeverinë e vendit të tyre, ndërsa qeveria provoi t’i përbaltë duke përmendur me zë të lartë shifra të parave që kanë marrë. Përgënjeshtrimi dhe sqarimi nga policia mbeti në plan të dytë, ashtu siç mbeti edhe e vërteta, pagat dhe gjendja e tyre. Ata duhet të kthehen andej nga kanë ardhur, me kokën ulur dhe për më keq pa dinjitet dhe pa krenari. Ata duhet të shkojnë në veri, duhet të vriten nëse duan që të respektohen.

Krenaria e të gjallëve nuk durohet në këtë shoqëri. Pati edhe komente tashmë të njohura për mercenarizëm, sikur që kishte dje për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ministri Sveçla, i cili gjithë këtë kohë fryhej si balonë me guximin e policëve, nuk e tha asnjë fjalë për gurët që kishte hedhur dikur në drejtim të tyre. Por, lëndimet fizike që ua kishte shkaktuar atëherë policisë duke i sulmuar nuk mund të barazohen me lëndimin e dinjitetit që ka provuar t’ua rrënojë duke i detyruar të dalin në rrugë si lypsarë. Kujt i duhet një pamje e tillë? Pse ka nevojë të rrënohet dinjiteti dhe krenaria e njerëzve tanë!? E atyre që sakrifikojnë përditë! E atyre që kanë sakrifikuar para nesh!?

Historinë e njëjtë me policinë e ndajnë edhe minatorët e ngujuar në miniera duke kërkuar kushte më të mira pune. Minatorët për shkak të historisë së “Trepçës” dhe për atë që përfaqësojnë për shtetin e Kosovës, kanë pasur një lloj krenarie që nuk ka guxuar t’ua cenojë askush. Dhe për fat deri tani as nuk ka provuar t’ua cenojë askush, meqë krenaria e minatorëve është krenari e të gjithë atyre që e duan Kosovën.

Por tash ndodhi edhe me ta! Ata kërkojnë kushte më të mira, qeveria ndërmerr masa ndëshkuese. Ata sëmurën në thellësinë e tokës, të gjallët tallen me fatin e tyre mbi tokë!

Kështu pati ndodhur edhe arsimtarët. Sikur minatorët edhe arsimtarët janë simbol i shtetit të Kosovës. Afër 10 vjet punuan pa pagesë për ta mbajtur gjallë arsimin shqip në Kosovë. U vranë, u rrahën, u ndoqën nga policia serbe. Në fund në vend të mirënjohjes u quajtën analfabetë, u poshtëruan!

Të parët që e patën këtë fat ishin ushtarët e UÇK – së. Erdhën bashkë me lirinë, por u portretizuan si e keqja e këtij vendi. Disa vranë veten për shkak të gjendjes ekonomike, disa u anatemuan, disa vazhdojnë ende të paguajnë çmimin e lirisë!

Këto janë vlerat mbi të cilat qëndron shteti i Kosovës. Shteti nuk është një krijesë absurde, që nuk ka as formë, as mekanizma, as të kaluar. Krijimi i shtetit ka një histori të gjatë, plotë vuajtje dhe sakrifica. Pse i duhet dikujt t’i rrënojë këto vlera, përveç nëse do ta rrënojë shtetin e Kosovës!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme