Një pushues nga Kosova është shpëtuar nga mbytja në det, në zonën e “Ranës së Hedhur” në Shëngjin, falë ndërhyrjes së togerit të Njësisë Speciale nga Kosova, Muhamed Berisha.
Ngjarja ka ndodhur më 9 shtator, rreth orës 13:00, kur personi që ka ndërhyrë për shpëtim ka vërejtur një çift të moshuarish duke u larë në det, rreth 20 deri në 30 metra larg tyre.
“Më datë 09.09.2026, rreth orës 13:00, unë, bashkë me bashkëshorten time, ishim duke u larë në det në Shëngjin, konkretisht në vendin e quajtur “Rana e Hedhur”. Aty ishte edhe një çift i moshuar, të cilët po laheshin në det, në një distancë prej rreth 20–30 metrash nga vendndodhja jonë”, tha ai.
Sipas rrëfimit të tij, pas disa minutash ai ka parë se burri i moshuar kishte hyrë në vështirësi serioze dhe rrezikonte të mbytej.
“Pas disa minutash, kam vërejtur se njëri prej tyre, konkretisht burri, ndodhej në vështirësi serioze dhe rrezikonte të mbytej. Ai herë fundosej në ujë dhe herë përpiqej të dilte në sipërfaqen e ujit. Bashkëshortja e tij kishte filluar të kërkonte ndihmë”, shtoi ai.
Pa humbur kohë, ai ka hyrë në det dhe ka notuar drejt pushuesit.
Pasi ka arritur pranë tij, e ka kapur nga koka dhe e ka kthyer në shpinë, në mënyrë që ta mbante mbi sipërfaqen e ujit dhe t’ia lironte rrugët e frymëmarrjes. Më pas ka nisur ta tërheqë drejt bregut.
Pas rreth 10 deri në 15 metrash not, ai ka arritur në pjesën e cekët të detit, ku ka mundur të shkelë në rërë dhe ta tërheqë më lehtë të moshuarin drejt bregut.
Sipas tij, gjendja e pushuesit ishte e rënduar dhe dyshohej se kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme uji. Një tjetër qytetar, i cili ndodhej në breg, është afruar për të ndihmuar në nxjerrjen e tij nga deti.
Pas nxjerrjes në breg, është tentuar t’i ofrohet ndihma e parë. Pas pak çastesh, i moshuari ka rifituar pjesërisht vetëdijen dhe ka thënë se ndihej më mirë.
Atij i është ofruar edhe mundësia për t’u dërguar për kontroll mjekësor, por ai e ka refuzuar, duke thënë se nuk kishte nevojë pasi gjendja e tij ishte përmirësuar.
Gjatë bisedës, shpëtimtari ka mësuar se bëhej fjalë për një shtetas të Kosovës, me vendbanim në Komunën e Prizrenit.
Në këtë ndërhyrje Berisha tha se ka ndihmuar edhe Haxhi Hoxha, nga fshati Domanek i Komunës së Drenasit, me vendbanim në Fushë Kosovë, i cili ishte në breg dhe iu bashkua përpjekjes për nxjerrjen e pushuesit nga uji.
Një ndërhyrje e shpejtë në një situatë kritike, e cila mund t’i ketë shpëtuar jetën pushuesit nga Kosova.