Policia aksion të gjerë kundër trafikimit me njerëz

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 15:40 | Nga

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në asistencë edhe të inspektorëve të ATK-së, inspektorëve komunalë dhe inspektorëve të punës, pas një hetimi disamujor kanë realizuar planin operativ “MASSAGE”, në tri faza kohore të ndryshme.

Ky plan operativ kishte për qëllim luftimin dhe identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit.

Plani operativ ka rezultuar me inspektimin e 31 lokaleve në Prishtinë, me ç’rast disa nga këto lokale/masazhe nuk kanë qenë fare të regjistruara në ATK si biznese dhe nuk kanë poseduar asnjë dokumentacion përveç kontratës së qirasë për lokal, pastaj shumica nga to nuk kanë poseduar arka fiskale, nuk kanë pasur pëlqime nga komuna për ushtrim të veprimtarisë ekonomike si dhe nuk i kishin të deklaruara punëtoret sipas procedurave ligjore.

Gjithashtu punëtoret kanë qenë pa kontrata pune dhe pa kualifikim adekuat, nuk është deklaruar qarkullimi ditor-mujor, nuk posedonin pëlqim sanitar, mungonin libreza sanitare, si dhe janë hasur të punësuara femra të mitura nën moshën 18 vjeçare.

Si rezultat i këtyre kontrolleve 30 lokale që ushtronin veprimtari për masazhe janë mbyllur përkohësisht nga inspektorët komunalë, ndërsa njërit nga këto lokale me vendim të Inspektoratit Komunal i është ndaluar ushtrimi i aktivitetit deri në plotësim të kushteve, pasi i njëjti nuk kishte startuar me punë.

Nga inspektorët e ATK-së, inspektorët e punës dhe inspektorët komunalë ka filluar shqiptimi i gjobave për parregullsitë e hasura tek këto subjekte ekonomike.

Nga zyrtarët policorë janë legjitimuar 109 punëtore në këto lokacione dhe të gjithave u është ofruar mundësia të deklarohen nëse në ndonjë formë janë viktima të trafikimit, por asnjëra nga to nuk është deklaruar të jetë viktimë e trafikimit.=

Janë hasur duke punuar dhe duke qëndruar në RKS pa lejeqëndrim dhe leje pune 5 femra, 3 shtetase të Srb-së dhe 2 shtetase nga AL-se (3 nga këto janë dorëzuar te DMH dhe u është shqiptuar gjoba nga 100 euro për person, ndërsa dy të tjera janë në procedurë të referimit të DMH).

Në njërën nga lokalet është hasur një person i gjinisë femërore duke punuar e cila ishte e raportuar si person i zhdukur, ku e njëjta i është dorëzuar njësisë përkatëse e cila ka qenë duke u marrë me rastin konkret në nivel stacioni.

Zyrtarët policorë gjatë kontrollit tek një punonjëse kanë gjetur një sprej OC, ku për këtë rast është njoftuar stacioni policor për procedim të mëtutjeshëm.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të ndërmarrë veprimet e saja ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e veprave të ndryshme kriminale në vend.

Të ngjashme