Policia e Kosovës ka dhënë detaje të një operacioni policor të zhvilluar sot në disa rajone të vendit, ku u arrestuan disa persona për trafikim me armë, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Drejtorisë së Krimit të Organizuar, Rexhep Fetahu, tha se operacioni u zhvillua në 6 rajone dhe hetimet kanë filluar vitin e kaluar.
Ai tha se në këtë operacion janë konfiskuar 57 armë të ndryshme, me 9 mijë fishekë apo municion dhe nga ky operacion janë të arrestuar 18 persona.
“18 të dyshuar janë arrestuar dhe janë konfiskuar gjësende, 57 armë, 9 mijë fishekë, 2 vetura, 10 mijë euro, 25 telefona”.
Fetahu tha se personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ai tha se ka më tepër se 8 muaj që është hetuar ky grup.
“Janë kontrolluar 28 lokacione me qëllim të mbledhjes se provave për veprimtari kriminale, hetimet kanë filluar bazuar në informata të ardhura se personat e dyshuar kanë trafikuar armë nga Maqedonia, duke shfrytëzuar rrugët malore që qasja e policëve atje ka qenë e kufizuar dhe më pas kanë tregtuar armë sipas kërkesave”.
Ai tha se këto armë janë të prodhuara në Turqi dhe janë armë me gaz.
“Nga të gjeturat disa nga këto armë dalin si armë gazi dhe disa prej tyre modifikohen dhe bëhen armë zjarri. Nuk përjashtohet mundësia që këta trafikojnë edhe armë tjera zjarri nga Serbia, Mali i Zi nëpërmjet vijës kufitarë të gjelbër”.
Nënkolonelja Luljeta Mehmeti ka njoftuar se sot është kryer një operacion i suksesshëm nga Policia e Kosovës.
“Qëllimi i konferencës është prezantimi i një operacioni policor të koduar ‘Shënjestra’ të kryer sot”, tha ajo, raporton EO.