Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona për armëmbajtje pa leje. Policia njofton se duke u mbështetur në informata të marra nga rrjetet sociale, ku persona të dyshuar kanë ekspozuar nëpër profilet e tyre armë sot kanë ndërmarr një operacion bastisjeje, i cili ka rezultuar me arrestimin e këtyre personave.
Pas marrjes së urdhëresës së Gjykatës themelore, policia ka realizuar operacionin i cili u zhvillua në katër lokacione të Prishtinës.
Policia njofton se gjatë këtij operacioni ka gjetur dy revole një pistoletë dhe katër thika dhe një maskë ku përveç armëve janë gjetur edhe 0.12 gramë narkotikë që dyshohen të jenë mariuhanë.
Personat e arrestuar janë të moshës 18 deri 22 vjeçare.
Të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt ndërkohë që për ta janë iniciuar rastet.