Policia e Kosovës në Ferizaj i ka shoqëruar në stacion policor 8 shtetas çekë.
Arsyeja ka qenë për shkak se shtetasit çekë kanë planifikuar lëshimin e dronit që mbante 3 flamuj serbë dhe mbishkrime anti-Kosovë, shkruan lajmi.net.
Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe Major Mehmet Ali Hajdini.
Ai është shprehur se për momentin nuk është caktuar masë e ndalimit, por personat vazhdojnë të qëndrojnë në stacionin policor.
Ali Hajdini ka konfirmuar gjithashtu se janë konfiskuar një dron, 3 flamuj serb dhe një baner me mbishkrim kundër shtetit të Kosovës.
Sipas Ali Hajdinit ende nuk është marrë vendimi për 8 shtetasit e Republikës së Çekisë.
Vlen të theksohet se kjo ndodh një ditë para sfidës së futbollit ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe asaj së Çekisë në kuadër të kualifikimeve për evropianin 2020.