Pas hetimeve të zhvilluara nga Sektori i Hetimeve të Trafikimit me Njerëz i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, të udhëhequra nga Prokuroria Themelore, Departamenti për Krime të Rënda Ferizaj, më 12 janar 2017, kanë realizuar një plan operativo taktik për arrestimin e disa personave nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale ,”Trafikim me Njerëz”.
Grupi i dyshuar kriminal, dyshohet se në një lokal në qytetin e Shtimes, ka detyruar tri viktima femra të mitura, të punojnë me qëllim të shfrytëzimit seksual.
Policia ka arrestuar katër të dyshuarit e poshtëshënuar për përfshirje në këtë vepër penale:
· A.F viti i lindjes 1989 mashkull, shtetas i Kosovës,
· RR.M viti i lindjes 1995 mashkull, shtetas i Kosovës,
· F.B viti i lindjes 1991 mashkull, shtetas i Kosovës dhe
· T.L viti i lindjes 1972 mashkull, shtetas i Kosovës.
Gjatë realizimit të këtij plani policor për arrestimin e të dyshuarve, në cilësi të prova materiale janë konfiskuar:
4 (katër) telefona mobil,
1 (një) sprej OC dhe
1 (një) mjet i prehtë thikë.
Gjithashtu në bashkëpunim me inspektoratin e punës dhe me vendim të prokurorit kompetent është mbyllur lokali i dyshuar në të cilin viktimat kryenin punë të detyruar.
Viktimat e rastit janë trajtuar në bazë të Procedurave Standarde të Operimit për viktimat e trafikimit dhe të njëjtat janë strehuar.
Të dyshuarit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 ore.