Policia arreston një të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I arrestuari është inspektor në ATK dhe dyshohet se ka ushtruar ndikim në biznese të ndryshme të rajonit të Ferizajt.

Komunikata e plotë:

“Policia e Kosovës,  respektivisht hetuesit policorë kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit përmes masave të fshehta të vëzhgimit, pas një pune të gjatë hetimore dhe profesionale me datë 23.10.2018  kanë arrestuar një person të dyshuar (inspektor në ATK) nga rajoni i Ferizajt, nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i kodit penal të Republikës së Kosovës.

Personi i arrestuar dyshohej që duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar gjatë periudhës kohore 2016-2018, ka ushtruar ndikim në biznese të ndryshme të rajonit të Ferizajt.

Lidhur me këtë rast, njësitet relevante policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, ku me autorizim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e  ndalimit policor prej 48 orësh”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme