Forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë parë në mëngjesin e sotëm në rrugën “Rexhep Luci” në kryeqytet.
Madje nuk po lejohen as lëvizja e veturave, por as e këmbësorëve.
Ndërsa ka mbyllur edhe disa kafene.
Ekonomia Online mëson se kjo është bërë për shkak të “inskenimit” të një rasti i cili ka ndodhur tri vjet më parë në kafiterin “Bon Vivant”, ku gjatë një përleshjeje ishte vrarë një person.
Policia: Bllokimi ka të bëjë me një rast rikonstruktimi
E këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online edhe zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, i cili ka thënë se Gjykata Themelore e Prishtinës-Departamenti i Krimeve të Rënda ka kërkuar rikonstruktim të vendit të ngjarjes për një rast të vrasjes të ndodhur kohë më parë në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë dhe se Policia vetëm po asiston në këtë rast.
Në tetorin e vitit 2014, Rrahman Uka ishte punëtori i sigurimit të lokalit me emrin “Bon Vivant”, i cili u vra për shkak të një konflikti, konflikt ky që erdhi si pasojë e moslejimit të personit që të futej në lokal.
Me urdhër të pronarëve, punëtori i sigurimit ishte i detyruar të përzgjidhte klientelën se kush mundet dhe kush nuk mundet të ulej në lokalin ‘Bon Vivant’, ky ishte shkaktari kryesor i vrasjes.
Dy të akuzuarit, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, dyshohet që më 13 tetor 2014, në bashkëkryerje në plotëni të kenë vrarë Rrahman Ukën pas një zënke me të.
Foto: Ekonomia Online