Ditëve të fundit Policia e Kosovës është parë më shumë nëpër sheshet e Prishtinës.
Gjatë kësaj kohe ata po bëjnë kontrollet e tyre rutinore.
Sipas qytetarëve, policët po i pyesin për orarin e tyre të qarkullimit e për mjetet mbrojtëse, raporton KOHA.
Ministria e Punëve të Brendshme thotë se një gjë e tillë nuk është diçka e re.
Shpend Nuhiu, shef i kabinetit të ministrit, thotë se një gjë e tillë bëhet me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë thotë që ka kërkuar nga të gjitha institucionet që merren me menaxhimin e pandemisë të kenë kujdes të shtuar dhe të kërkojnë nga qytetarët të zbatojnë masat.
Bashkë me Policinë gjatë së enjtes janë parë edhe inspektorët sanitarë.
Sipas kryeinspektorit Ibrahim Tërshnjaku, ata kanë shqiptuar edhe gjoba për qytetarët që nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.
Një gjë të tillë Tërshnjaku thotë se e kanë bërë sipas Ligjit për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse dhe Ligjit për kundërvajtje.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, për mosrespektim të dispozitave shëndetësore sot janë arrestuar 12 persona.