Laura Pula, koordinatore nacionale për zgjedhje, ka thënë se janë angazhuar prapë në zgjedhje me moton për mbrojtjen e votës së qytetarit.
“Kemi krijuar memorandum bashkëpunimi me Policinë, KQZ, PZAP dhe KGjK. Ky memorandum është bërë për shkak të marrjes së vendimeve nëse shkelet e drejta e votës”, ka thënë ajo.
Pula ka shtuar se kanë nënshkruar marrëveshje me Policinë dhe Prokurorinë.
“Arsyeja e nënshkrimit është që të veprohet menjëherë në rast të shkeljes së votës. Ne kemi angazhuar 100 prokurorë në terren së bashku me staf mbështetës që do të operojnë në 38 komuna së bashku me hetuesit e Policisë së Kosovës. Këta prokurorë do të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë”, ka treguar ajo.
Pula ka shtuar se qysh tani kanë nisur të dërgojnë policë dhe prokurorë për të vëzhguar vendin, shkruan Arbresh.info.
“Arsyeja pse para kohe është se Kodi Penal e parasheh këtë duke u ndarë para votimit, ditën e votimit dhe pas votimit.”
Sipas saj, komisionarët që nuk lajmërojnë shkeljet dënohen deri në pesë vjet burgim.
“Kodi penal dhe veprat penale parashohin dënime të rënda, të ashpërsuara. Po ashtu, ata që mundohen të votojnë më shumë se një herë dënohen deri në tre vjet burg”, shtoi Pula.