Policia e Haitit: Të dyshuarve për vrasjen e presidentit iu gjetën dollarë amerikanë

Prishtinë | 09 Kor 2021 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Policia e Haitit ka thënë se një grup prej 28 mercenarësh të huaj, përfshirë ushtarë kolumbianë të dalë në pension, e vrau presidentin e këtij shteti, Jovenel Moise.

Pas një beteje me të shtëna në kryeqytetin Port-au-Prince, 17 prej të dyshuarve u arrestuan, disa në shtëpinë që po e përdornin, ndërsa të tjerët pasi kishin hyrë në ambasadën e Tajvanit.

Tre të dyshuar u vranë nga policia, ndërsa tetë të tjerë ende janë duke u kërkuar nga autoritetet, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express
Të përgjakur e me të mavijosura, të dyshuarit u vendosën para gazetarëve të enjten, bashkë me armët e tyre të sekuestruara. Aty u shfaqën edhe pasaportat kolumbiane të të arrestuarve.

Ende nuk është e qartë se kush e organizoi sulmin dhe me çfarë motivi. Në mesin e të sulmuesve të dyshuar ishin edhe dy amerikano-haitianë.

Gazeta “Le Nouvelliste” raportoi se të dyshuarve iu gjetën armë zjarri, bankënota të dollarëve amerikanë, blloku personal të çeqeve të presidentit dhe serveri që mbante pamje të kamerave të sigurisë nga shtëpia e tij.

Civilë të zemëruar iu bashkuan operacionit të kërkimit të sulmuesve dhe e ndihmuan policinë që të gjejë disa prej tyre, të cilët ishin fshehur në shkurre.

Komandanti i policisë, Leon Charles, bëri thirrje për qetësi, duke thënë se publiku nuk duhet ta marrë ligjin në duart e veta.

Qeveria e Kolumbisë ka konfirmuar se së paku gjashtë të dyshuar duket se janë anëtarë të pensionuar të ushtrisë dhe u zotua se do ta ndihmojë Haitin në hetime.

Ndërkohë Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha se nuk mund të konfirmojë nëse ndonjë nga qytetarët amerikanë është ndaluar.

Sidoqoftë, mediet amerikane dhe kanadeze po raportojnë se një nga shtetasit me shtetësi të dyfishtë që u arrestua, James Solages, është nga Florida dhe dikur ka qenë truprojë në ambasadën kanadeze në Haiti.

Të ngjashme