Në kuadër të koordinimit, organizimit dhe mbikëqyrjes së angazhimit të Policisë së Kosovës në luftën kundër pandemisë COVID-19 në të gjithë vendin, sot u.d. ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel RashitQalaj bënë vizita në drejtoritë rajonale të policisë në jug e veri të Mitrovicës, po ashtu në Njësinë Speciale Operative në kampin “Belvedere” të Mitrovicës dhe në pikën kufitare “Bërnjak” në komunën e Zubin Potokut.
Gjatë këtyre vizitave u konstatua përgjegjësia e profesionalizmi i policisë në përgjigje ndaj emergjencës shëndetësore, në secilën pjesë të Republikës sonë, që është një dhe e pandashme.
Së pari u.d. ministri Sveçla e koloneli Qalaj vizituan Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës të Mitrovicës-Veriu, ku u pritën nga komandanti i këtij rajoni, Kapiteni NenadGjuriq, zëvendësdrejtori, Major Besim Hoti dhe shefi i hetimeve, Nënkolonel NenadSimiq. Eprorët e Drejtorisë Rajonale njoftuan u.d. ministrin mbi zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet policia në atë rajon. Ministri i përgëzoi të gjithë zyrtarët policorë për angazhimin e tyre dhe u zotua se do të vazhdojë mbështetjen e tyre, në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike apo fetare.
Më pas, u.d. ministri Sveçla, ka vizituar Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë-Jug ku u prit nga drejtorja e rajonit, Kolonele Afërdita Mikullovci dhe bashkëpunëtorët e saj. KoloneljaMikullovci informoi u.d. ministrin Sveçla se Drejtoria Rajonale e Mitrovicës-Jug ka kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar situatën, kurse u.d. ministri siguroi zyrtarët policorë që përkrahja e nivelit qendror nuk do të mungojë.
U.d. ministri Sveçla vazhdoi vizitën e tij me Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, në kampin “Belvedere” në Mitrovicë, ku u prit nga Komandanti i togut të dytë, rreshteri FarukCetinaj me pjesëtarët e ekipit të tij. Rreshteri Cetinaj i raportoi u.d. ministrit Sveçla për gatishmërinë e tyre për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave nga drejtoritë rajonale nëpër Kosovë.
Në fund të kësaj vizite, u.d. ministri Sveçla vizitoi edhe pikën kufitare në Bërnjak të komunës Zubin-Potok, ku u prit nga kapiteni MilloshDançetoviq me vartësit e tij nga policia kufitare. Gjithashtu, u.d. ministri takoi edhe ekipin mjekësor dhe atë të Doganave të Kosovës të stacionuar në atë pikë kufitare. Pasi uroi festën e Pashkës për punonjësit e besimit ortodoks, nga të gjithë, u.d. ministri u njoftua nga afër me masat e marra me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19. Ai inkurajoi stafin policor, por edhe të tjerët, që të jenë të vendosur në aplikimin e masave në ruajtje të shëndetit të tyre, familjes dhe të gjithë qytetarëve.
Në të gjitha këto takime u vlerësua mbarëvajtja e kënaqshme e punës, profesionalizmi i punonjësve të policisë, si dhe u çmua angazhimi i të gjithëve në mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, veçanërisht nga Policia e Kosovës e cila është në vijën e parë të frontit, por, po ashtu, u vlerësua mirëkuptimi i qytetarëve drejt respektimit në plotni të masave parandaluese.
Policia dhe qytetarët janë së bashku e në ndihmë të njëri-tjetrit, që të zbatohen udhëzimet e masat e qeverisë e të profesionistëve shëndetësorë, dhe ta fitojmë luftën kundër virusit me sa më pak dëme.