Policia e Kosovës Bëhet me BMW X6

Prishtinë | 24 Nën 2016 | 15:24 | Nga

Drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, do ta ketë në dispozicionin e tij një veturë luksoze BMW X6 të konfiskuar nga kriminelët. Policia për këtë veturë nuk do të paguajë asnjë cent, pasi Ministria e Drejtësisë ka paguar rreth 1 mijë euro për servisimin e saj.

KALLXO.com mëson se vetura është konfiskuar me vendim të Gjykatës për përfshirje në vepër penale. Ajo është nën mbikëqyrjen e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
“Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar ka nën administrimin e saj veturën BMW X6, e pranuar sipas vendimit të plotfuqishëm nga Gjykata Themelore në Pejë P.nr. 984/13 e datës 19.01.2015. Pasuria në fjalë është e konfiskuar me vendim të prerë” thuhet në përgjigjen të Zyrës për Informim në Ministrinë e Drejtësisë.

Rrahim Rama, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar e ka pranuar se një nga veturat e konfiskuara i është dorëzuar Policisë së Kosovës.

“Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, në përputhshmëri me dispozitat ligjore në fuqi, veturën në fjalë e ka dorëzuar për shfrytëzim te Policia e Kosovës”, ka thënë Rama, në një përgjigje më shkrim.

Bëhet fjalë për veturën BMW X6, e cila i është kaluar Policisë së Kosovës. Madje, burimet thonë se e njëjta veturë ishte servisuar nga kjo Agjenci.

KALLXO.com më herët kishte nisur një hulumtim rreth tenderit të iniciuar nga Ministria e Drejtësisë për servisimin e veturës BMW X6.

Kjo ministri më 5 tetor 2016 në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), publikoi njoftimin për nënshkrimin e kontratës për tenderin “Servisimi i Automjetit BMW X6”.

Riparimi dhe servisimi i makinës luksoze “BMW X6” të konfiskuar me vendim gjykate do t’i kushtojë Ministrisë së Drejtësisë 868 euro e 40 centë.

Por, Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar se vetura në fjalë po riparohet për t’ia dhënë në shfrytëzim institucioneve të Kosovës.

“Veturat të cilat janë nën administrim të agjencisë i nënshtrohen mirëmbajtjes me qëllim të ruajtjes së vlerës ose rritjes së saj. Veprimet të cilat janë ndërmarrë për servisim të këtij automjeti janë bërë me qëllim që pasuria në fjalë të bëhet funksionale dhe e shfrytëzueshme,” thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim e Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo ministri ka thënë se vetura do të mbahet në depo.

“Vetura në fjalë nuk është në shfrytëzim dhe e njëjta mbahet në Depo Qendrore të Agjencisë në fshatin Llukar, Komuna e Prishtinës,” shpjegoi zyra e ministrisë së drejtësisë.

Në tetor të këtij viti Rrahim Rama, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar u ankua se kërkesat e agjencisë për shitje të pasurisë së konfiskuar të krijuar me vepra penale nuk po marrin përgjigje nga gjykatat.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme