Çështja e vendosjes së flamurit tek lokacioni, “Te Rrethi” në Prishtinë gjatë këtyre ditëve është bërë çuditërisht një prej temave më të diskutuara, në këtë 10 vjetor të shpalljes së pavarësisë. Debati po zhvillohet në kuptim të asaj se a tregohet integriteti territorial i Kosovës, me vendosjen e flamurit të Republikës së Kosovës në lokacionin ku për vite ka qëndruar flamuri kombëtar shqiptar, raporton Ekonomia Online.
Në mbrëmjen e ditës së martë, nën shoqërimin e forcave të policisë, njësitet e zjarrëfikësve kanë larguar flamurin kuq e zi, për ta zëvendësuar me flamurin e Kosovës. Kjo ngjalli reagime të shumta në mesin e atyre që kanë pranuar të jenë pjesë e këtij debati. Disa prej tyre dolën edhe në vendin e ngjarjes për të kundërshtuar këtë lëvizje.
Lidhur me këtë në ora 13:00 është paralajmëruar të organizohet një protestë në kundërshtim të zëvendësimit të flamurit kombëtar me atë shtetëror.
Forca të shumta të policisë së Kosovës që nga mbrëmja e ditës së djeshme janë duke qëndruar në lokacionin e përmendur, ku po monitorjnë situatën e cila vazhdon të mbetet tensionuese e sidomos kur edhe është paralajmëruar protestë për të kundërshtuar heqjen e flamurit.