Policia e Kosovës ka hartuar planin operativ për të evituar problemet e sigurisë që mund të shfaqen gjatë sezonit të verës.
Duke pas parasysh se gjatë këtyre dy muajve pritet fluks i bashkatdhetarëve dhe shtimi i aktiviteteve dhe gazmendeve të ndryshme familjare, Policia e Kosovës ka përgatitur këtë plan me qëllim të menaxhimit të situatës.
Pjesë e këtij plani është shtimi i kapaciteteve nëpër vende ku ka frekuentim më të madh të qytetarëve.
Duke iu referuar nevojave dhe gjendjes aktuale për sa i përket kësaj dukurie negative, në vazhdimësi në kuadër të Policisë së Kosovës janë hartuar programe dhe plane të veprimit të cilat konsistojnë në mbrojtjen e jetës së qytetarëve si dhe njëkohësisht për vetëdijesimin e tyre.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha tha për Radio Kosovën se synimi i policisë është që ahengjet dhe manifestimet e ndryshme të shkojnë mbarë, qetë dhe pa të shtëna, në mënyrë që të festohet me dinjitet.
“Gjatë sezonit të verës kemi shtim të aktiviteteve dhe dasmave. Nga praktikat e më hershme ku ka pasur incidente me arme zjarri. Policia e Kosovës për çdo vit konfiskon rreth 1200 armë pa leje”, tha ai.
Në lidhje me këtë dukuri, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që dasmat t’i festojnë me zemër e jo më armë, për shkak se ato mund të përfundojnë me fatalitet.
Por të shtënat nëpër festa dhe dasma shtohen çdo vit, madje ndonjëherë duke marrë edhe jetë njerëzish.
Fatmirësisht vitin që lamë pas nuk ka pasur ndonjë rast fatal nga të shtënat nëpër dasma