Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës (PK) Naim Rexha, i shoqëruar nga një zyrtar i Drejtorisë Kundër Terrorizmit, kanë marrë pjesë në një konferencë rajonale kundër radikalizmit të dhunshëm, të mbajtur në Brdo të Sllovenisë.
Në konferencën përmbyllëse të projektit për ndërgjegjësimin dhe inkurajimin e institucioneve për rritjen e kapaciteteve në këtë kuadër, në Ballkanin Perëndimor, morën pjesë drejtorët e Policive të vendeve të rajonit si: Kosova, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia, Serbia dhe Shqipëria, transmeton Ekonomia Online.
Gjatë konferencës u prezantua projekti i cili është pjesë e nismës së iniciativës kundër terrorizimit në Ballkanin Perëndimor, si dhe u diskutua për fluksin e migrimit në tërësi.
“Konferenca rezultoi edhe me shkëmbimin e eksperiencave më të mira, ku të gjitha shtetet pjesëmarrëse janë të angazhuara maksimalisht për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin në të ardhmen, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të këtyre fenomeneve”, thuhet në një komunikatë për medie nga Policia e Kosovës.