Policia e Kosovës tha se është duke kryer hetimet e nevojshme lidhur me informacionet dhe raportimet mediale për rrëmbimin e disa qytetarëve serbë në veri të Kosovës.
Policia tha se është duke i trajtuar këto raste me “seriozitet”.
“Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serbë nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia nuk bëri të ditur se sa persona dyshohet se janë rrëmbyer apo të keqtrajtuar dhe kur kanë ndodhur këto incidente.
Megjithatë, forcat e rendit thanë se tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kërkojnë ngritjen e kapaciteteve policore për të menaxhuar situatën e sigurisë dhe për të parandaluar “aktivitetet kriminale”.