Gjatë mbrëmjes së djeshme është arrestuar, anëtari i kryesisë së OVL e UÇK-së, Faik Fazliu, ndërsa nga Policia e Kosovës kanë thënë se Fazliu ka kanosur verbalisht një zyrtar policor.
Një person është arrestuar gjatë një kontrolli të Policisë së Kosovës në një lokal në Prizren pasi ka kanosur verbalisht një zyrtar policor.
Bëhet fjalë për anëtarin e kryesisë së OVL e UÇK-ë, Faik Fazliu.
Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:40, gjatë një kontrolli të përbashkët me Inspektoratin sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, në funksion të implementimit të masave sipas ligjit antiCovid-19.
Personi i dyshuar, mashkull kosovar, është shoqëruar në stacion policor, janë informuar hetimet rajonale, si dhe është kontaktuar prokurori kujdestar dhe autoritetet tjera.
Në konsultim me prokurorin kompetent rasti është iniciuar për procedura të mëtejme ligjore dhe ndërmarrje të veprimeve të mëtejme hetimore nga autoritetet kompetente.
“Me datë 05.06.2021, në kuadër të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore nga njësiti policor për reagim të shpejtë i Policisë së Kosovës (NJRSH) në rajonin e Prizrenit me operatorët në detyrë është kërkuar që të shkojnë për ofrimin e asistencës stacionit policor në Prizren dhe Inspektoratit sanitar në funksion të implementimit të detyrave të tyre ligjore”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.
Duhet theksuar se Fazliu është liruar sot, lajmin për lirimin e tij e ka bërë të ditur u.d së Kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.
Ndërsa pretendohet se ndaj Fazliut është ushtruar dhunë gjatë arrestimit.
“Ju informoj se sapo u lirua ish kreu i OVL UÇK-së, Faik Fazliu. Gjykata tani i ka edhe faktet me video, të ushtrimit të dhunës ndaj tij gjatë arrestimit”, ka shkruar ndër të tjera Klinaku.