Policia e Shqipërisë: Morëm kërcënime me akte terroriste nga një email i një institutcioni arsimor në Arabinë Saudite

Prishtinë | 19 Tet 2026 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Policia e Shqipërisë tha se ka evidentuar një mesazh me kërcënime “për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste”.

Sipas Policisë, mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike e një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.

“Policia e Shtetit informon se ditën e sotme është evidentuar një mesazh elektronik (email), i dërguar në disa adresa institucionesh, i cili përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste. Nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se “mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe të ngjashme kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit”.

“Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme