Policia e Kosovës i ka intervistuar personat kompetentë të Federatës së Futbollit të Kosovës pas raportimeve të mediave se ka pasur konflikt fizik ndërmjet portierit, Arijanet Muriq, dhe sulmuesit, Edon Zhegrova.
Në përgjigjen e Policisë për KOHËN thuhet se nuk është iniciuar asnjë rast në polici në lidhje me atë ngjarje.
“Pas raportimeve të mediave, Policia e Kosovës ka kontaktuar personat kompetentë të hotelit si dhe menaxherin e përfaqësueses dhe ka rezultuar se nuk ka pas elemente për iniicim të ndonjë rasti”.
Portieri Arijanet Muriq është përjashtuar nga kampi i Kosovës të martën në mesditë, siç ka thënë Federata e Futbollit e Kosovës për arsye disiplinore.
Ndërkohë, KOHA nga burime brenda FFK-së, ka marr vesh se Muriq ka shkuar i dehur në stërvitjen e fitnesit që është mbajtur të hënën pasdite.
Konfliktin fizik ndërmjet Aro Muriq dhe Edon Zhegrovës e ka mohuar edhe përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes. Lajmet e mediave i ka quajtur të pavërteta.
Të njëjtë gjë e ka bërë për KOHËN edhe vet Edon Zhegrova, i cili portierin Muriq e ka quajtur si shokun më të mirë.
Kosova do të luajë sonte ndeshjen miqësore kundër Lituanisë në stadium “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.