Sot është arrestuar një burrë me inicialet A.R, pasi që dyshohet se i njëjti ka falsifikuar diplomën universitare për t’i siguruar vetes pozita udhëheqëse në Bankën Qendrore të Kosovës.
Policia ka konfirmuar se pas marrjes në pyetje, i dyshuari është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit, njofton Klan Kosova.
“Sot më 23 nëntor 2018, Policia e Kosovës, respektivisht hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe korrupsionit pas hetimeve të zhvilluara lidhur me dyshimet për veprat penale “Falsifikim i Dokumenteve ” dhe “Legalizimi i përmbajtje së rreme” kanë arrestuar personin e dyshuar me iniciale (A.R. viti i lindjes 1970)”, shkruan në komunikatën e Policisë.
“I dyshuari i lartë përmendur dyshohet se që nga viti 2008, ka përdorur diplomën e falsifikuar universitare për t’i siguruar vetes pozita udhëheqëse në një institucion”.
“Me aktvendim të prokurorit kompetent të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha dukurive negative, veprave penale dhe në veçanti luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”.