Në fshatin Malësi e Re në Prizren mbrëmë ka ndodhur një plaçkitje dhe një person është lënduar. Policia ka arrestuar tre persona.
Tani policia e Kosovës ka dhënë detaje të tjera rreth rastit.
“Rreth orës 23:00, në fshatin Malësi e Re, tre të dyshuar kishin hyrë në një shtëpi për të vjedhur mirëpo ishin vërejtur nga vëllai i pronarit të shtëpisë ndërkaq hajdutët kishin kërcyer nga ballkoni i shtëpisë dhe e kishin sulmuar të njëjtin. Gjatë sulmit ia marrin edhe portofolin me dokumente personale dhe 120 euro”, thuhet në raportin e zgjeruar të policisë.
“Hetues policorë që ishin në detyrë i janë përgjigjur rastit dhe pas një pune operative taktike në terren dhe në bashkëpunim me qytetarët e fshatit janë ndaluar të dyshuarit të cilët po përdornin një automjet të llojit ‘Ford’ me targa të Shqipërisë”.
“Pas arrestimit, të dyshuarit: F.L, J.J dhe A.B janë dërguar në stacion për intervistë. Gjatë kontrollit të automjetit, në prani të avokatit mbrojtës, janë gjetur dhe sekuestruar gjësende të ndryshme të vjedhura: pajisje amvisërie, bizhuteri dhe një sasi e substancës narkotike”.
“Ndër gjësendet e gjetura është edhe portofoli me dokumente personale të viktimës nga Malësia e Re”.
Të dyshuarit janë ndalur nën masën e arrestit policor.