Policia e Kosovës bënë të ditur se sot është protestuar në disa lokacione të vendit qëllimi i së cilave ka qenë shprehja e pakënaqësisë kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë kundër vizitave dhe ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë. Sipas policisë protestat kanë përfunduar të qeta pas një ose dy ore varësisht prej lokacioneve dhe se deri më tani nuk është evidentuar asnjë incident.
Në një komunikatë për medie nga Policia e Kosovës thuhet se ndalimi i përkohshëm i qarkullimit të automjeteve është bërë në disa lokacione të ndryshme të Kosovës (5-6 lokacione), duke filluar afërsisht rreth orës 08:00 të mëngjesit, për të përfunduar pas një apo dy orësh.
Policia e Kosovës, me njësitet e saja relevante policore, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të menaxhuar me situatën e paraqitur, me qëllim të normalizimit të situatës dhe krijimit të mundësive për qarkullim të automjeteve në trafik.
Më tutje në komunikatë thuhet se qytetarët e tubuar në këto lokacione gjatë protestimit të tyre kanë pasur flamuj kombëtarë dhe flamuj të Republikës së Kosovës, si dhe disa pankarta në të cilat shkruante: “Ju i përkisni këtij vendi e jo Vuqiqi”, “Drejt Brukselit e jo drejt Moskës”, “Të ndërtojmë së bashku Kosovën… etj.
Gjatë kësaj periudhe kohore sa ka zgjatur pengimi i qarkullimit të trafikut, disa autobus me qytetarë të komunitetit serb që kishin planifikuar që të niseshin për në drejtim të Leposaviqit kanë vendosur të kthehen në lokacionet ku banojnë, ndërsa disa të tjerë kanë vazhduar në drejtim të Leposaviqit pa probleme.
Vlen të potencohet se protestat kanë përfunduar të qeta pas një apo dy orësh varësisht prej lokacioneve dhe deri më tani nuk është evidentuar ndonjë incident, ku njësitet policore janë kujdesur për qarkullimin e autobusëve, automjeteve dhe në mbarëvajtjen e trafikut.