Mbrëmë në mesnatë është sulmuar fizikisht nga tre persona gazetari i Insajderit, Visar Duriqi. Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Policia e Kosovës
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai tha se në bazë të informacioneve të para, dyshohet se tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore.
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, ka deklaruar Borovci,
Ai ka thënë se policia tashmë ka iniciuar një hetim për zbardhjen e rastit.
“Aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre dhe në koordimin me prokurorin e shtetit po ndërmerr veprimet vijuese hetimore për rastin lëndim i rëndë trupor”, ka thënë Borovci.