Policia Rajonale në Pejë përmes një njoftimi ka dhënë detaje rreth plagojes së një personi gjatë ditës së sotme në rrugën “Nënë Terezë” në këtë qytet.
Policia ka njoftuar se ka arrestur një person dhe personi i plagosur është i dyshuar poashtu, është në kërkim të 2 personave të tjerë lidhur me këtë ngjarje.
“Me datë 10 shtator 2019 rreth orës 12:43, Policia e Kosovës është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Nëna Terezë”- Pejë.
Menjëherë njësitet relevante të policisë kanë shkuar në vendngjarje për të mësuar të gjitha rrethanat lidhur me rast.
Si pasojë e këtij incidenti një person është plagosur, i njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, për trajtim të mëtutjeshëm dhe sipas ekipit mjekësor gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.
Policia ka zbuluar identitetin e personit të dyshuar dhe pas një pune intensive operativo-hetimore është arrestuar 1 (një) person i dyshuar dhe është në kërkim të 2 (dy) personave të tjerë të involvuar në këtë rast, identiteti i të cilëve është i njohur për Policinë, po ashtu edhe personi i plagosur i cili është në Spital, konsiderohet të jetë i dyshuar.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit”.