Dy 17-vjeçarë arrestohen për vrasjen e studentit në Mitrovicë

Prishtinë | 07 Dhj 2016 | 15:57 | Nga

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona si të dyshuar për vrasjen e të riut V. S. që ka ndodhur sot në Mitrovicë.

Policia konfirmoi se të arrestuarit janë V. B. dhe H. V. të dy të moshës 17-vjeçare.

Viktima është Valon Sadiku, 22-vjeçar, student në Fakultetin e Informatikës në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Identitetin e tij e ka konfirmuar babai i tij, Abedin Sadiku. Ai është qëlluar me breshëri kallashnikovi, jashtë oborrit të gjimnazit “Frang Bardhi”. Njëri nga dorasi është Valdrin Beqiri.

“Një rast ‘vrasje e rëndë’ është raportuar sot rreth orës 09:45. Fillimisht ishte raportuar për të shtëna dhe si pasojë e shkrepjes së armës së zjarrit, një person kishte mbetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes, të ndodhur në rrugën ‘UÇK’ , në Mitrovicë”, thuhet në një komunikatë të Policisë.

Njësitë policore me të arritur në vendin e ngjarjes kuptojnë se pa shenja jete kishte mbetur viktima V. S. 22-vjeçar.

Nga procedimi i vendit të ngjarjes nga ana e hetuesve policorë dhe krim teknikët, si prova materiale janë gjetur dy gëzhoja, një shufër metali, një shkop druri.

Nga veprimet e deritanishme me autorizim të prokurorit janë arrestuar dy persona në cilësi të të dyshuarve, V. B. 17-vjeçar dhe H. V. 17-vjeçar, si dhe është konfiskuar një armë tytëgjatë e cila dyshohet se është përdorur në kryerje të veprës penale.

Veprimet hetimore janë duke vazhduar për të ndriçuar rrethanat e plota të veprës penale.

Dëshmitarët kanë treguar se vrasjes i ka paraprirë një përleshje fizike, me ç’rast janë përdorur dhe shkopinj druri.

Në vendin ku ka ndodhur vrasja ndodhet dhe Shkolla e Mesme Ekonomike. Në dy shkolla sot mësimi është ndërprerë.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/siguri/vritet-nje-person-afer-shkolles-frang-bardhi-ne-mitrovice/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme